Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës së bashku me qendrat rajonale po e përcjellin nga afër situatën me ujë të pijshëm në të gjithë territorin e Kosovës, pas shirave të fundit.
Bazuar në njoftimin e lëshuar nga IKShPK-ja, ky institut dhe qendrat rajonale përpos marrjes së mostrave të rregullta dhe të jashtëzakonshme të ujit si dhe përpunimit laboratorik të tyre, janë edhe në kontakt të vazhdueshëm me kompanitë e ujësjellësit në çdo rajon dhe po punojnë që qytetarët të kenë ujë të sigurt për pije sa më shpejtë.
Sot, më datë 7 janar 2026, gjendja e furnizimit me ujë të pijes në Kosovë është kjo:
Rajoni i Gjakovës
Furnizimi me ujë nga rrjeti i KRU Gjakova është i sigurt për pije. Mostrat e kontrolluara në laborator tregojnë se uji është pa baktere të dëmshme. Probleme ka pasur në disa burime lokale si: Rekë e Keqe, Demjan, Opterushë, Hoqe e Vogel, Zaqishtë dhe Hoqe e Madhe. Në këto vende gjendja vazhdon e njëjtë dhe uji nuk duhet të përdoret për pije.
