Thesari bllokoi paratë e subvencioneve, klubet rahovecase buzë kolapsit

Klubet rahovecase nuk janë në gjendje aspak të mirë.

Kjo për shkak se subvencionet e autoriteteve komunale, aty ku bazohet shumica dërrmuese e buxhetit nuk pritet të dalin as në muajin maj.

Kështu të paktën ka mësuar Rahoveci n’Fokus nga burime të afërta pranë klubeve kryesore të qytetit.

I gjithë problemi duket të ketë ardhur nga keqmenaxhimi me financat, përkatësisht kontratat kolektive.

Si shkak i padive të shumta që janë shtruar në drejtim të Komunës së Rahovecit, Thesari i ka bllokuar transaksionet.

Përderisa në vitet paraprake paratë e subvencioneve arkëtoheshin në muajin mars, këtë vit klubet morën premtimin se fillimi i majit pritet të jetë vendimtar.

Ndërkaq, zërat e fundit thonë se këto para nuk do të lëshohen as këtë muaj.

E kësaj pritet t’ia shohë sherrin hendbolli në veçanti. Kjo pasi KF Rahoveci e Grapeland kanë mbyllur rrugëtimin për këtë edicion, ndërsa KH Rahoveci javën e ardhshme nis fazën finale të Play Offit.

Nuk duhet harruar as shahun, për të cilin Superliga nis me 24 maj. /Rahoveci n’Fokus