
Në një sipërfaqe prej mbi 100 hektarësh tokë bujqësore dhe malore në mes të fshatit Kramovik dhe Guri i Kuq në Rahovec, ishte parashikuar që të fillojnë punimet për ngritjen e Parkut Solar në fillim të vitit 2025. Megjithatë, deri në muajin e gjashtë të këtij viti, nuk ka asnjë shenjë të fillimit të projektit.
Shoqëria „Lindja Solar“ L.L.C. ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) aplikacionin për marrjen e Autorizimit dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet solare me kapacitet të instaluar prej 100 MW në ZK Kramovik dhe Petkoviq, Komuna e Rahovecit.
Ky aplikacion, sipas ZRRE-së është dorëzuar më 18 gusht 2025, në përputhje me dispozitat e Nenit 13 të Rregullës Nr. 03/2022 për Procedurën e Autorizimit për Ndërtimin e Projekteve të Energjisë.
Për projektin, „Lindja Solar“ ka dorëzuar të gjitha dëshmitë e kërkuara për marrjen e autorizimit, duke përfshirë:
-
Pëlqimin mjedisor Nr. 5577-2/24, i dhënë më 10 dhjetor 2024 nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës;
-
Pëlqimin nr. 234, më 19 gusht 2025, për Planin Zhvillimor 2023-2031 të aprovuar nga Kuvendi i Komunës së Rahovecit;
-
Vendimin për Leje Ndërtimore Nr. K.III-7/2025, më 9 korrik 2025;
-
Marrëveshjen e Kyçjes në Rrjetin e Transmisionit të Kosovës nr. 571/1, më 27 shkurt 2025;
-
Marrëveshjen për Blerje të Energjisë nr. 1347, më 31 maj 2024;
-
Marrëveshjen e qerasë për shfrytëzimin e tokës me Ministrin e Ekonomisë nr. 4627/1, më 31 maj 2024;
-
Deklaratat për investime, inxhinieri, prokurim dhe ndërtim (EPC), si dhe studimin e fizibilitetit teknik dhe financiar, planin e biznesit dhe planin dinamik të realizimit.
Energjia e prodhuar nga ky projekt do të shitet me çmimin e garantuar të fituar në ankand.
ZRRE njofton të gjitha palët e interesuara që mund të dërgojnë vërejtjet e tyre lidhur me këtë aplikacion brenda 8 ditësh nga data e publikimit.
Më 31 maj 2024, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka nënshkruar marrëveshjen për zhvillimin e projektit të ankandit të parë solar në vend, me kompaninë tashmë të themeluar në Kosovë “Lindja Solar”, që është pjesë e konsorciumit fitues të përbërë nga “Orllati Groupe” nga Zvicra, “Holdigaz” po ashtu nga Zvicra, “ZPV” nga Gjermania dhe “Jaha Solar” nga Kosova.
Ajo pati deklaruar se ky ankand i suksesshëm do të jetë i pari prej shumë të tillëve që do të zhvillohen në të ardhmen, dhe se Kosova po dëshmon gjithnjë e më shumë se është një mjedis i favorshëm dhe i sigurt për investime në sektorin e energjisë – për një sektor më të qëndrueshëm, të pavarur dhe më të përballueshëm për qytetarët.
Ndërsa, nga ana e tij, kryeshefi financiar i “Group Orllati”, Destan Orllati, kishte thënë se ky projekt, i cili do të shtrihet në rreth 117 hektarë, është pjesë e ambicies së fortë të vendit për të zhvilluar prodhimin vendor të energjisë së ripërtëritshme.
Konsorciumi “Group Orllati” nga Zvicra, së bashku me kompani nga Gjermania dhe Kosova, ishte shpallur fitues i ankandit më 29 mars 2024, me çmim 48.88 €/MWh – gati 35% më të ulët se çmimi tavan fillestar prej 75 €/MWh. Katër kompanitë e këtij konsorciumi do të realizojnë një investim në vlerë prej 70 milionë eurosh për ndërtimin e kapaciteteve solare prej 100 MW./Kujdestari.info