
Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, e cila e kishte dënuar Avni Morinën me 8 muaj burgim dhe me dënim plotësues: ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publik për një periudhë prej tre vjetësh. Morina ishte dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në kohën kur kishte ushtruar detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Rahovec.
“Refuzohen si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore – DKR në Gjakovë dhe të mbrojtësit të të akuzuarit Avni Morina, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, i datës 27.12.2024, vërtetohet,” thuhet në vendimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit të Apelit, ndaj vendimit të Themelores kishte parashtruar ankesë Prokuroria Themelore në Gjakovë, duke kërkuar dënim më të ashpër për të akuzuarin.
Ankesë kishte parashtruar edhe mbrojtësi i Avni Morinës, avokati Dardan Morina, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar e të paplotë të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal dhe dënim të pabazuar. Ai kishte propozuar ndryshimin e aktgjykimit dhe lirimin nga akuza ose anulimin e vendimit dhe kthimin e çështjes në rigjykim.
Ndërkohë, Prokuroria e Apelit kishte propozuar që të aprovohet ankesa e Prokurorisë Themelore dhe të shqiptohet dënim më i lartë ndaj të akuzuarit, ndërsa ankesa e mbrojtjes të refuzohet si e pabazuar.
Sipas vendimit, Apeli ka konstatuar se aktgjykimi i Themelores nuk përmban shkelje esenciale të procedurës penale dhe as shkelje tjera që do ta çonin në anulimin e tij.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se dispozitivi i aktgjykimit është i qartë, konkret dhe nuk përmban kundërthënie. Sipas Apelit, Themelorja ka paraqitur të gjitha faktet dhe rrethanat që përbëjnë figurën e veprës penale për të cilën Morina është shpallur fajtor.
Gjykata e Apelit thekson se edhe pse nuk është specifikuar shuma e dëmit, fakti që e dëmtuara Xh.H ka pësuar humbje financiare del qartë nga përshkrimi i veprimeve të kryera. Apeli thekson se Themelorja ka analizuar të gjitha provat dhe ka nxjerrë përfundime të drejta dhe objektive.
Sipas vendimit, Morina nuk kishte as të drejtë, as autorizim të lejonte marrëveshje që një person të paguhej pa punuar, ndërsa një tjetër të punonte në vend të tij pa asnjë bazë ligjore.
“…i akuzuari nuk kishte të drejtë të lejonte një marrëveshje të tillë në prezencën e tij, aq më pak të lejonte që dëshmitari R.K. të merrte pagë pa punuar, ndërsa e dëmtuara të punonte pa u përfshirë në listën e pagave,” thuhet në vendim.
Apeli vëren se e dëmtuara nuk është paguar për periudhën që ka punuar, ndërsa personi që ka zëvendësuar ka marrë rregullisht pagën, fakte të vërtetuara edhe nga dëshmitarët V.K., M.G. dhe R.K.
Sipas Gjykatës së Apelit, Morina ka vepruar në kundërshtim me kompetencat e tij duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës dhe duke i mundësuar përfitim të paligjshëm dëshmitarit R.K.
Apeli ka vlerësuar të bazuar edhe lartësinë e dënimit që Themelorja e kishte shqiptuar, duke marrë parasysh si rrethana lehtësuese faktin që i akuzuari është mbajtës i familjes, baba i katër fëmijëve, nuk ka qenë i dënuar më parë dhe ka pasur sjellje korrekte në gjykatë. Si rrethana rënduese janë konsideruar: shkalla e rrezikshmërisë shoqërore të veprës, përgjegjësia penale e të akuzuarit, fakti që ai ka qenë në mandatin e dytë si drejtor, si dhe shkalla e lartë e dashjes.
Ndryshe, sipas aktakuzës, Avni Morina akuzohej se nga muaji janar-qershor të vitit 2021, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Rahovec, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës Xhevahire Hajda, dhe buxhetit të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që i njëjti në zyrën e tij, iu ka mundësuar Refki Kryeziut-profesor në lëndën e Edukatës Fizike në SHMTP “Selajdin Mullabazi” në Rahovec dhe të dëmtuarës së lartcekur që të nënshkruajnë një marrëveshje-deklaratë të përbashkët, të njëjtën e vërteton me vulë zyrtare.
Sipas aktakuzës, nga kjo marrëveshje ka përfituar Refki Kryeziu që të marrë pagën e plotë mujore janar-qershor, pa dalë fare në punë, po ashtu dhe shtesat për COVID-19 në shumë prej 100 euro çdo muaj. Gjatë kësaj kohe sipas kësaj marrëveshje, e dëmtuara Xhevahire Hajda, e kishte zëvendësuar të njëjtin pa përfillur procedurat ligjore për rekrutim, ashtu që pa kontratë i ka mbajtur 26 orë mësimore, duke mos figuruar fare në listën e pagave dhe për muajt janar-shkurt, nuk paguhet fare.
Në aktakuzë thuhet se e dëmtuara nga muaji mars-qershor ishte paguar në mënyrë private nga profesori Refki Kryeziu.
Për këto, i pandehuri Avni Morina akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi i parë i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.