
Nënkryetari i komunës së Rahovecit dhe bartësi i listës i AAK-së në zgjedhjet e 12 Tetorit, Fatmir Iska, ka folur ekskluzivisht për Rahoveci24 për zgjedhjet e 12 Tetorit.
Rahoveci24 ka zhvilluar intervistë me bartësin e listës Fatmir Iska nga AAK, i cili ashtu siç njihet për maturinë e tij, ashtu edhe është përgjigjur në pyetjet e portalit.
Teksa ai nuk lëshohet në deklarata, beson në fitoren e pastër të Smajl Latifit më 12 Tetor – teksa tregohet shumë i rezervuar ndaj kundërshtarëve politik, madje edhe shpreh respekt pa e përmendur balotazhin, fazë që Iska la të nënkuptohet se AAK nuk beson se do ta arrijë, sepse presin fitore të pastër në raundin e parë.
Më poshtë gjeni pyetjet dhe përgjigjet TË PA EDITUARA:
1. A ka filluar fushata për AAK-në dhe kur do ta shohim maksimumin e AAK-së dhe Smajl Latifit?
Fatmir Iska: Nëse puna është fushatë, atëherë për ne ka filluar që para 4 viteve. Megjithatë, fushata jonë zyrtare për zgjedhjet e 12 tetorit nis më 12 shtator. Tani për tani, po i japim prioritet punëve që kemi në dorë si qeverisje lokale, projektet që kemi nisur dhe që po i çojmë përpara për të mirën e Rahovecit. Kur të fillojë fushata, do të na shihni kudo: do të takohemi me ju, do të ndajmë planet tona dhe do të flasim hapur për të ardhmen e komunës sonë. Kandidati ynë për Kryetar dhe Kryetari aktual, z. Smajl Latifi dhe ekipi i AAK-së janë të gatshëm të japin maksimumin për të shpjeguar se çfarë mund të bëjmë bashkë për komunën tonë.
2. Listë me plot persona të kategorisë së rëndë – sa asamblistë besoni se mund t’i merrni?
Fatmir Iska: Herën e fundit keni pasur mjaft shumë dhe keni dominuar duke qeverisur pa koalicion. Lista jonë për asamblistë është plot me njerëz të zot, me zemër dhe me përkushtim për Rahovecin. Kemi 30 kandidatë që përfaqësojnë çdo lagje, çdo fshat dhe çdo grup shoqëror të komunës sonë. Herën e fundit, qytetarët na dhanë besimin për 12 asamblistë, dhe me 3 të tjerë që na u bashkuan më vonë, arritëm në 15, duke na mundësuar të qeverisim pa pasur nevojë për koalicion. Këtë herë, me punën që kemi bërë dhe me listën e fortë që kemi, besojmë se do të marrim sërish një mbështetje të madhe. Synojmë të ruajmë një shumicë solide në Kuvendin Komunal, sepse duam të vazhdojmë punën të papenguar dhe të pakushtëzuar.
3. Me cilin rezultat do të ndaheshit të kënaqur më 12 tetor në zgjedhjet për kryetar?
Fatmir Iska: Për ne, çdo votë nga ju është një vlerësim për punën që kemi bërë. Unë dhe ekipi im kemi punuar çdo ditë që të jemi pranë jush, të dëgjojmë nevojat tuaja dhe të sjellim ndryshime reale. Kemi ndërtuar rrugë, kemi investuar në shkolla, spitale, bujqësi, kulturë dhe sport. Rahoveci ynë është bërë shembull për transparencë, duke fituar disa herë grantin e performancës. Më 12 tetor, do të jem i lumtur me çdo rezultat që tregon besimin tuaj në vizionin tonë për të vazhduar këto punë dhe për të sjellë ide të reja. Por, po e them hapur, nga ajo që shohim se si qytetarët mbështesin idetë tona, ne presim fitore të hapur, por kjo s’do të na bëjë arrogantë assesi.
4. Cilën parti apo kandidat e konsideroni si pretendentin më serioz për t’iu çuar në balotazh?
Fatmir Iska: E respektojmë çdo kandidat dhe çdo parti që po garon në këto zgjedhje. Por, ne fokusohemi te vetja dhe te puna jonë, te angazhimi ynë dhe te dëshira për të bërë më të mirën për Rahovecin. Unë besoj se kemi kandidatin më të mirë dhe programin më të mirë për të udhëhequr komunën tonë. Ne po punojmë çdo ditë për t’ju bindur me punë, jo me fjalë. Zgjedhjet janë garë, dhe ne jemi të gatshëm të japim gjithçka për të fituar besimin tuaj në raundin e parë. Rahoveci e di kush punon për të, dhe unë jam i sigurt se bashkë do të dalim fitues. Respekt! Fatmir Iska