Edon Cana: Frikësohem të më lavdërojë Buzhala, se të më shajë s’e kam problem – madje rritem

Me dorëheqjen e Memli Krasniqit nga posti i kreut të PDK-së, filluan aludimet e para se si do të duket partia që në zgjedhjet e fundit doli e dyta në nivel vendi.

Ishte Berat Buzhala, gazetari me më së shumti ndjekës në Kosovë, që përmes një postimi në “Facebook” foli mbi hipotezat e tij rreth PDK-së, ndërsa mes rreshtash përmendi edhe Rahovecin.

Sipas tij, Partia Demokratike në komunën tonë mund të kthjellet me Idriz Vehapin. 

Redaksia jonë nuk ngurroi edhe kontaktoi menjëherë me të parin e kësaj dege në Rahovec, Edon Cana. Ky i fundit rriti votën e Partisë Demokratike në krahasim me zgjedhjet e kaluara, duke thënë se me këto shifra, me më tepër kohë mund të bëjë edhe më shumë, që nëse marrim për bazë faktin se nuk pati kohë as për përgatitje zgjedhore, për shkak se nuk e dinte që do të kandidonte, është lehtë e realizueshme.

I pyetur nga Rahoveci n’Fokus për këtë koment të Buzhalës, Cana refuzoi të hidhet në sulm, duke thënë se respekton secilin vendim të opinionistëve, por nëse nisemi nga këndvështrimi i rahovecasve për Buzhalën, atëherë kjo është një lajm i mirë.

“E respektoj secilin mendim, qoftë edhe kundër. Jemi në politikë e politikë bëjmë. Megjithatë me Buzhalën unë s’e kam asnjë problem të vetëm. Kjo për shkak se frikësohem që të mos më lavdërojë. Nëse më shan, unë rritem, andaj s’e kam edhe fort problem”, pohoi Cana.

Kujtojmë, me largimin e Memli Krasniqit, PDK pritet të udhëhiqet nga Bedri Hamza, ish-kandidat për kryeministër dhe i nominuar për një pozicion të tillë në zgjedhjet e ardhshme nacionale./Rahoveci n’Fokus