Lëvizje e zgjuar politike e Krasniqit – një rahovecas bartës liste, dy emra të tjerë “big” në lojë, Cana e Rrahmani

Burim Krasniqi e kërkon me çdo kusht balotazhin. Kjo pasi ai beson fuqimisht që pushtetit të Latifit i ka ardhur fundi.

Madje, kandidati i LDK-së është treguar goxha vizionar me lëvizjet e programit koordinues në listën për asamble. Në veçanti ato në Rahovec si njësi.

Ekuacioni është i thjeshtë. Rritje e numrit të votave në qytet (1/3 e votave), aty ku edhe ka çaluar në garën e parë kur merrte pjesë.

Për këtë e ka menduar opsionin: Enis Durguti si bartës liste, kurse dy emra të tjerë “big”, Qazim Cana e Asllan Rrahmani ta luajnë rolin e “mesfushorëve shkatërrues” në votat brenda përbrenda Rahovecit. 

Nga kjo nënkuptohet se Krasniqi punët në fshatëra i ka mirë (favorit absolut në vendlindje, Xërxë, lidhje të gjerë familjare me Krushën e Madhe), mbështetje enorme në Hoqë të Vogël, prej nga e ka prejardhjen, ndërsa për Ratkoc (bastionin e Smajl Latifit, pritet ta angazhojë ish-kryeministrin Hoti), që edhe mund ta bëjë atë thyerjen e madhe, e më pas me një paraqitje emblematike në qytet më 12 tetor (gjë kjo e realizueshme) shumë lehtë mund ta shohim në balotazh. 

Morali i tregimit: Smajl Latifi ka arsye për të qenë i shqetësuar. Dukshëm madje.