
*Artikulli nuk përmban asnjë qëndrim të redaksisë.
Çfarë na thanë qytetarët në zgjedhjet e 9 shkurtit?
Shkruan: Jeton Haxhimustafa
As më shumë, as më pak se ky rezultat që po pasqyrohet sot në Kuvend.
Votuesit e përcaktuan saktësisht pozicionin politik të secilit subjekt, përfshirë edhe koalicionin “Lista për Familje”.
Lëvizjes Vetëvendosje i thanë qartë: “Nuk përmbushe detyrën për të cilën u votove në vitin 2021.”
Premtimet e mëdha nuk u përkthyen në rezultate të prekshme. U pa një përqendrim i brishtë në qeverisje të brendshme, i cili prodhoi ndryshime sipërfaqësore, por jo substanciale.
Këmbëngulja për të shtyrë përpara ligje të dëmshme — pa mandat demokratik për to — si
• Kodi Civil që hapte rrugën për martesat e të njëjtës gjini dhe më vonë edhe birësimin e fëmijëve;
• Ligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor, që lejonte mohimin e atësisë;
• Ligji për Gjendjen Civile, që mundësonte ndërrimin e gjinisë me një deklaratë çdo 10 vjet;
• Skandalet me librat shkollorë dhe përmbajtjen e kurrikulave — për të cilat nuk u kërkua falje publike, por u tërhoqën vetëm pas reagimit dhe presionit qytetar;
Këto, së bashku me dështime në fushat e energjetikës, menaxhimin e rezervave shtetërore, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe komunikimin me Presidencën, u reflektuan në votë.
Një notë kaluese mund t’u jepet për menaxhimin e situatës në veri — pavarësisht kostove të mëdha që u paguan si shtet, me sanksione dhe kritika nga partnerët ndërkombëtarë, si dhe humbja e mundësisë historike për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Për t’u vlerësuar: fokusi dhe ndryshimet substanciale në MPB dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Opozitës (PDK-LDK-AAK) qytetarët i thanë:
Programet e paplota, bllokadat pa vizion, riciklimi i figurave të konsumuar dhe mungesa e reflektimit mbi të kaluarën, lanë një shije zhgënjimi të thellë.
Ndaj “Listës për Familje”, qytetarët dhanë një mesazh inkurajues, por edhe sfidues: “Keni qëllime të drejta, por duhet të na bindni më shumë.”
Angazhimi për vlera ishte i dukshëm dhe i mirëpritur, por mungoi përkthimi i qartë në një program të plotë politik. Nevojitet më shumë kohë, më shumë organizim dhe më shumë përkushtim për të ndërtuar një forcë të mirëfilltë konservatore — që përfaqëson besimin në Zot, shoqërinë e shëndoshë, familjen si themel të kombit dhe shtetin demokratik si garanci për lirinë tonë.
Koha është tani.
…me vlera ndërtohet e ardhmja!